Tregu
"NUK E DIJA KUSH ISHTE, KËRKONTE NJË VILË..."/ Erola Canga zbulon takimin me miliarderin e Dubait, Alabbar
2 nëntor 2026 · Përditësuar 2 nëntor 2026

Një mesazh nga një numër arab, kërkesa për një vilë me karakteristika të pazakonta në Tiranë dhe një takim për të cilin nuk e dinte se kë kishte përballë. Kështu nisi njohja e sipërmarrëses Erola Canga me një prej emrave më të njohur të biznesit ndërkombëtar, Mohamed Alabbar.
Në podcastin “Pjaca”, në Media Radar dhe Pjaca Media, Canga rrëfeu përballjen e saj të parë me biznesmenin, duke treguar se në fillim nuk e kishte kuptuar se kush ishte personi që po i kërkonte një pronë në Shqipëri.
“Unë kisha ngritur një emërtim në treg si agjente e pronave elitare, të klientëve elitarë. Më ka kontaktuar personalisht. Në fillim nuk është se e mora shumë seriozisht, për të thënë të vërtetën. Ishte një numër arab dhe thashë: mos është nga këta që shkruajnë vazhdimisht? Edhe gjëja që kërkonte ishte një vilë brenda qytetit, me shumë elemente që në Shqipëri nuk ekzistonin”, tregoi ajo.
Momentin kur kuptoi se kush ishte klienti, ajo e përshkroi si një surprizë të papritur.
“E pyeta ku do të qëndronte dhe më tha te Plaza. I thashë se do të vija ta merrja me taksi, por më tha se nuk kishte problem, pasi kishte makinën e tij. Deri aty nuk kisha asnjë informacion. Shkoj te Plaza dhe kur del, shoh atë radhën e makinave që e shoqëronin. Thashë: ‘Oh my God, unë tani po e kuptoj kë kam të bëj’”, rrëfeu Çanga.
Gjatë vizitës në njërën prej vilave, ajo tregoi se biznesmeni kishte vërejtur një detaj që për të kishte qenë i papërfillshëm, por që ndikoi në vendimin për të mos vijuar me atë pronë.
Pronari i vilës i kishte kërkuar të mos hapte një derë të caktuar. Canga tha se e kishte shmangur situatën, por Alabbar kishte vënë re reagimin e saj dhe sjelljen e pronarit.
“Pasi zbritëm, më tha: ‘Erola, këtë do ta bëjmë skip’. E pyeta: nuk të pëlqeu vila? Më tha: jo vila, pronari. Mendova se mos ai diçka fsheh aty, në kuptimin e real estate-it. Por ajo që kam kuptuar nga ai person ishte një thjeshtësi në ekstrem. Nuk i kishte pëlqyer mënyra si ishte sjellë pronari”, tregoi ajo.
Megjithëse kërkimi për vilën në Tiranë nuk përfundoi me një marrëveshje, marrëdhënia profesionale vijoi. Çanga tregoi se ishte përfshirë në punë të tjera të lidhura me interesat e biznesmenit në Shqipëri, përfshirë edhe procesin e negociimit të një prone.
Ajo sqaroi se në diskutim kishte qenë edhe mundësia e bashkëpunimit me agjencitë imobiliare shqiptare në lidhje me projektin e Portit të Durrësit, por në fund ishte zgjedhur një tjetër rrugë.
“Bëmë një punë kolosale për të, sepse ai po studionte nëse marrëveshjen e shitjeve do ta lidhte me agjencitë në Shqipëri apo do të kishte partneritet me pjesën e projektit të Portit të Durrësit. Rezultoi që partneriteti me shtetin ishte më me benefit për të sesa partneriteti me real estate-in. Le të themi që bëri zgjidhjen që për të, në biznes, ishte më oportune”, tha Canga.


