Kalo te përmbajtja

Tregu

KU T'I INVESTOSH 1 MILIONË EURO? Avenir Kika surprizon me sektorët që veçon

15 tetor 2026 · Përditësuar 15 tetor 2026

KU T'I INVESTOSH 1 MILIONË EURO? Avenir Kika surprizon me sektorët që veçon
KU T'I INVESTOSH 1 MILIONË EURO? Avenir Kika surprizon me sektorët që veçon — Pjaca Media

Ku duhet të investojë një person që disponon një shumë të konsiderueshme parash dhe cilat zona mund të fitojnë vlerë në të ardhmen? Avenir Kika ka dhënë mendimet e tij për tregun e pasurive të paluajtshme dhe sektorët e tjerë të ekonomisë në podcastin “Pjaca”, në një bisedë me gazetarin Alfred Peza.

I pyetur se ku do t'i rekomandonte të investonte një person që ka një milion euro, Kika theksoi se investimet nuk duhet të kufizohen vetëm te ndërtimi.

“Unë gjykoj që nuk është vetëm ndërtimi. Sot Shqipëria po zhvillohet në çdo drejtim.Një nga drejtimet me perspektivë që shoh unë është prodhimi i vajit të ullirit.Një cilësi vaji që mund të jetë konkurruese në të gjithë botën.Një tjetër në Shqipëri, sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit, janë bërë kantina vere dhe vreshtat po rriten me shpejtësi”, deklaroi Kika.

Sipas tij, këto fusha mund të krijojnë mundësi të reja investimi, përfshirë edhe për të rinjtë.

A duhet investuar në qendër të Tiranës?

Për ata që synojnë të blejnë prona, Kika këshilloi të shohin edhe përtej zonave më të shtrenjta të kryeqytetit.

Gjatë bisedës, ai argumentoi se vlera e një prone nuk varet vetëm nga sipërfaqja, por edhe nga vendndodhja dhe zhvillimi i ardhshëm i zonës.

Në një seri pyetjesh të shkurtra nga Alfred Peza, përgjigjja e tij për zgjedhjen mes lokacionit dhe metrave katrorë ishte e prerë:

“Lokacioni, lokacioni rrit, mund të them edhe 50% të vlerave të një objekti të caktuar, nëse është në vendin që duhet, në lagjen që duhet.”

Kika këshilloi gjithashtu që investitorët të analizojnë infrastrukturën dhe rrugët që do të lidhin zonat me pjesët e tjera të qytetit.

“Duhet të studiojnë çfarë rrugësh do të kalojnë, sepse është shumë e rëndësishme”, ishte mesazhi i tij për ata që kërkojnë të blejnë prona me potencial rritjeje.

Ai përmendi si shembull zonën e Komunës së Parisit, vlera e së cilës, sipas tij, ndikohet edhe nga lidhjet me akset rrugore.

“Komuna e Parisit i ka rritur vlerat, sepse del në tri unazat shumë kollaj”, u shpreh ai.

“Bli apo prit? Bli”

Në fund të bisedës, Peza e pyeti Kikën për disa zgjedhje të shpejta që lidhen me tregun e pasurive të paluajtshme.

Pyetjes “Bli apo prit?”, Kika iu përgjigj: “Bli”.

Përballë alternativave “Qira apo blerje?”, përgjigjja e tij ishte “Blerje”, ndërsa mes lokacionit dhe metrave katrorë zgjodhi sërish lokacionin.

Megjithatë, gjatë bisedës ai nuk e paraqiti ndërtimin si të vetmen mundësi investimi. Përkundrazi, theksoi se investitorët duhet të shohin edhe sektorët prodhues, si bujqësia dhe industria ushqimore.

Për Kikën, vendimi për investim duhet të mbështetet te studimi i tregut, perspektiva e zhvillimit dhe mundësia për të krijuar vlerë në afatgjatë.

Nga ky episod

Duke kërkuar pronë në Shqipëri?

Gjej prona

Artikuj të tjerë